Dita Memoriale e Policëve të Rënë, Kurti: Policia është forcuar, përkujtohen edhe nga Osmani e Haradinaj

Lajme2 months ago24 Views

Ushtruesi i detyrës së kryeministrit, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Detyrë, ku u nderuan 24 zyrtarë policorë që humbën jetën gjatë shërbimit.

Kurti përkujtoi edhe 15-vjetorin e rënies së policit Enver Zymeri, për të cilin tha se u vra nga “dora kriminale e strukturave të Serbisë”, derisa po mbronte integritetin territorial dhe sigurinë e Kosovës.

Ai tha se Policia e Kosovës është forcuar ndër vite, duke përmendur edhe përfshirjen e rreth 200 pjesëtarëve serbë në radhët e saj.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e kësaj dite, Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule edhe te varri i Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, ndërsa më pas vizitoi familjen e tij.

Rreshteri Afrim Bunjaku u vra në sulmin terrorist të grupeve paramilitare serbe më 24 shtator 2023.

Edhe ish-presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar policët e rënë në detyrë, duke i falënderuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës për shërbimin e tyre.

“Në paqe e në sfida, në veri e në jug, në çdo pëllëmbë të Kosovës, Policia jonë është mburoja e sigurisë, rendit kushtetues dhe sovranitetit të shtetit”, ka shkruar Osmani.

Ajo tha se në këtë ditë përkulen para sakrificës së policëve të rënë, duke përmendur Afrim Bunjakun, Enver Zymerin dhe të gjithë heronjtë e Policisë së Kosovës.

“Ata zgjodhën detyrën, nderin dhe atdheun mbi gjithçka, prandaj lavdia për ta do të jetë e përjetshme”, ka shkruar Osmani.

Rënien e policëve në kryerje të detyrës e ka përkujtuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Sot përkujtojmë rënien heroike të Enver Zymerit, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i Policisë së Kosovës. Jeta dhe përkushtimi i Enverit, i Afrimit dhe i të gjithë atyre që ranë për lirinë e atdheut, janë dëshmi se mbrojtja e Republikës së Kosovës ndërtohet mbi sakrificën, guximin dhe besimin e palëkundur në shtetin tonë”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se policët meritojnë trajtim më të mirë dhe mbështetje më të madhe nga institucionet.

“Puna e policëve është një punë shumë e vështirë” dhe kërkon “trajtim të veçantë”, tha Qalaj për Ekonomia Online.

Ai kritikoi mungesën e pajisjeve, uniformave dhe nivelin e ulët të pagave, duke shtuar se investimet duhet të fokusohen në trajnime dhe logjistikë.

Sipas tij, edhe menaxhmenti i Policisë së Kosovës duhet të jetë më aktiv në sigurimin dhe shfrytëzimin e buxhetit, në mënyrë që zyrtarëve policorë t’u krijohen kushte më të mira pune.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...