
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar se raportimet për arrestimin e Bushit nuk janë të sakta.
“Jo, nuk është arrestuar. Ai është lajmëruar vullnetarisht në stacionin policor të Prizrenit si ankues. Me urdhër të prokurorit deklarata është dërguar në Prokurorinë Speciale për shqyrtim të mëtejshëm. Ai është intervistuar si ankues dhe është liruar”, ka deklaruar Bytyqi për Gazetën Online Reporteri.net.
Më herët ishte raportuar se Bushi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pas një denoncimi publik të bërë në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate duke rikujtuar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës është institucioni kompetent për trajtimin e informacioneve, kallëzimeve dhe rasteve që lidhen me krimet e luftës të kryera gjatë viteve 1998-1999.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës është organi i vetëm kompetent brenda Policisë së Kosovës për pranimin, verifikimin, hetimin penal dhe procedimin e të gjitha informacioneve, kallëzimeve dhe rasteve penale që ndërlidhen me krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas Policisë, të gjitha informacionet trajtohen në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Referuar publikimeve në media për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, adresë zyrtare dhe kompetente për paraqitjen e çdo informacioni, prove apo të dhëne që ndërlidhet me krimet e luftës mbetet Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës – Departamenti për Krime të Luftës”, thuhet në komunikatë.






