
Sipas IHMK-së, në disa zona priten reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkesa rrufesh, ndërsa në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia e rrebesheve më intensive, erërave të përkohshme të fuqishme dhe breshrit.
“Reshjet do të kenë karakter lokal dhe nuk do të përfshijnë tërë territorin e vendit. Për këtë arsye, në disa rajone mund të ketë stuhi afatshkurtra, ndërsa në rajone të tjera moti do të mbetet kryesisht i thatë”, thuhet në njoftim.
Temperaturat maksimale gjatë ditës do të lëvizin nga 31 deri në 33 gradë Celsius, ndërsa era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar, duke u fuqizuar përkohësisht në zonat ku zhvillohen proceset stuhore.
IHMK u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes gjatë qëndrimit në ambiente të hapura në rast të bubullimave, erërave të forta apo reshjeve intensive.






