Fillon takimi Kurti–Abdixhiku, merr pjesë edhe Osmani

Lajme2 months ago89 Views

Ka nisur takimi mes kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Abdixhiku në ndërtesën e Qeverisë ka arritur i shoqëruar nga ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa asnjëri prej tyre nuk ka folur para mediave. Në takim, bashkë me Kurtin, merr pjesë edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Para nisjes së takimit, Kurti u shpreh optimist se do të arrihet konstituimi i institucioneve dhe do të shmangen zgjedhjet e reja.

“Unë jam optimist sepse e kam vullnetin e mirë dhe interesin publik, që do të thotë t’i konstituojmë institucionet, t’i evitojmë zgjedhjet e reja dhe në këtë mënyrë të fillojmë të qeverisim përsëri sa më mirë, sepse kemi shumë projekte përgjysmë dhe të reja që do të vijnë”, deklaroi Kurti.

Gjatë ditës së sotme, Kurti është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Pas takimit, Hamza tha se PDK-ja do të mbetet në opozitë.

“PDK-ja në këto zgjedhje ka garuar me një program dhe parime që kanë të bëjnë me ekonominë, mirëqenien sociale, duke përfshirë rritjen e pagave, pensioneve dhe të gjitha pagesave të tjera, si dhe me projekte në energji e infrastrukturë.

Ky ka qenë prioriteti ynë, se si ta përmirësojmë jetën e qytetarëve të Kosovës. Bazuar në bisedat që kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është të qëndrojmë në opozitë në këtë mandat”, u shpreh Hamza.

Nga ana tjetër, Kurti tha se duhet të vazhdojë fryma konstruktive, edhe pse ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për presidentin, duke theksuar se përgjegjësia për zgjedhjen e tij u takon të gjitha partive.

“Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotërojë edhe në vijim dhe, në përputhje me afatet, t’i konstituojmë institucionet. Për bindjen time, vullneti është aty, atmosfera konstruktive duhet të vazhdojë të mbizotërojë.

 Pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale, dikë që nuk i takon asnjë partie, përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit. Për qeverisjen përgjegjësia bie mbi ne, por për zgjedhjen e presidentit të gjithë kemi përgjegjësi”, tha Kurti.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e ka pranuar ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim. Kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, tha se pa përmbushjen e gjashtë kërkesave të AAK-së, nuk e shohin të nevojshëm një takim me Kurtin.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...