Abdixhiku: Nuk është deponuar asnjë nënshkrim për shkarkimin tim, nuk e mendoj dorëheqjen

Lajme2 months ago76 Views

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se deri më tani në parti nuk është dorëzuar asnjë nënshkrim për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm, i cili do të mund të shqyrtonte shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.

Abdixhiku ka thënë se delegatët e Kuvendit të LDK-së e kanë të drejtën statutare për të kërkuar mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm, por ka theksuar se zgjedhjet e rregullta brenda partisë janë të parapara të mbahen vitin e ardhshëm.

“Në LDK nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri më tani. Proceduralisht, një e treta e delegatëve të Kuvendit janë të lirë që në çdo kohë të deponojnë nënshkrime për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas tij, LDK-ja duhet t’u përmbahet vendimeve të marra dhe të fokusohet në proceset e brendshme të përcaktuara me statut.

“Një parti serioze nuk matet me sa herë dëshiron të mbajë kuvende, por me atë se sa i respekton vendimet e veta”, ka thënë ai, duke rikujtuar se partia ka mbajtur Kuvendin e fundit më 31 janar.

Abdixhiku ka garantuar se çdo iniciativë për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm do të trajtohet në përputhje me rregullat statutare të partisë.

“Sa herë që deponohet ndonjë nënshkrim, do ta trajtoj menjëherë sipas rregullave statutare. Vendimet e Kuvendit janë demokratike. Nuk jemi të prerë dhe nuk qëndrojmë me forcë”, ka deklaruar kreu i LDK-së.

I pyetur nëse e konsideron dorëheqjen pas rezultatit të zgjedhjeve, Abdixhiku ka thënë se një mundësi të tillë nuk e mendon.

Ai ka komentuar edhe mungesën e disa anëtarëve në mbledhjet e organeve të partisë, duke theksuar se debatet duhet të zhvillohen brenda strukturave të LDK-së dhe jo përmes deklarimeve publike.

“Anëtarët e Kryesisë e kanë vendin në Kryesi, kryetarët e degëve e kanë vendin në kolegjiumet e tyre. Përderisa diskutojmë brenda organeve të partisë, është mirë. Por kur bëjmë përplasje publike jashtë, atëherë nuk ka arsye të thirremi institucionalistë të vërtetë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka shtuar se çdo vendim për të ardhmen e udhëheqjes së partisë duhet të jetë rezultat i vullnetit demokratik të anëtarësisë.

“Misioni ynë është ta marrim LDK-në nga një pozitë e rëndë dhe ta lëmë më mirë sesa e kemi gjetur. Ky është misioni ynë”, ka përfunduar Abdixhiku.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...