Mbyllet përkohësisht “Vita” pas inspektim masiv nga AUV-i me vendim të ministrit Muja

Lajme2 months ago81 Views

Mbi 20 inspektorë kanë zhvilluar kontrolle në qumështoren “Vita” në Istog. Sipas kompanisë, kontrolli është kryer me urdhër të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, ndërsa gjatë inspektimit punëtorët janë larguar jashtë objektit. Pas përfundimit të kontrolleve, qumështorja ka njoftuar se do ta pezullojë përkohësisht aktivitetin.

Drejtori i kompanisë, Artan Spahiu, ka sqaruar se çfarë ka ndodhur gjatë aksionit, duke e cilësuar qasjen e ministrit Muja dhe institucioneve përgjegjëse si të padrejtë. Ai bëri të ditur se bordi i kompanisë ka vendosur ta mbyllë qumështoren për të paktën shtatë ditët e ardhshme.

“Më duhet të ndaj një lajm jo të mirë për punëtorët. Kontrollet janë të mirëseardhura dhe ne kemi qenë gjithmonë të hapur. Para dy muajsh kam pasur takim me ministrin Armend Muja, Hekuran Muratin dhe drejtorin e Doganës, ku u kam thënë se jemi të gatshëm për çdo verifikim. Por sot u trajtuam sikur të ishim kriminelë. Mua më është dorëzuar një vendim i veçantë, i marrë posaçërisht për ne. Kemi investuar mbi 15 milionë euro, punojmë me produkte të Kosovës dhe nuk kemi lënë asnjë fermer pa e grumbulluar qumështin. Megjithatë, po detyrohemi ta mbyllim fabrikën, të paktën për shtatë ditë. Askush nuk po mendon për punëtorët që do të mbesin pa paga dhe për fermerët që rrezikojnë ta hedhin qumështin”, ka deklaruar Spahiu.

Një zyrtar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), i pranishëm gjatë kontrollit, ka thënë se inspektimi është zhvilluar me kërkesë dhe vendim të ministrit në detyrë, Armend Muja.

Reagimi i Armend Mujës

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka reaguar lidhur me kontrollet zyrtare që AUV po zhvillon në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit, duke theksuar se mbrojtja e konsumatorëve dhe zbatimi i legjislacionit për sigurinë ushqimore janë përgjegjësi institucionale.

Sipas tij, kontrollet janë pjesë e mandatit të rregullt ligjor të AUV-së për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, gjatë ditës është kontrolluar edhe kompania “Vita”, njësoj si operatorët e tjerë ekonomikë.

“Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë, për produktet për të cilat paguajnë. Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Kontrollet nuk bëhen ndaj emrave të kompanive, por mbi bazën e mandatit ligjor. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, ka deklaruar Muja.

Reagon edhe Ramush Haradinaj

Për zhvillimet ka reaguar edhe ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka vlerësuar se veprimet ndaj qumështores “Vita” përbëjnë goditje ndaj prodhimit vendor, fermerëve dhe familjeve që jetojnë nga kjo industri.

“Mbyllja e njërit prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë, me direktiva të Qeverisë në detyrë, nuk është vetëm sulm ndaj një kompanie. Është goditje ndaj mijëra fermerëve që e dorëzojnë qumështin çdo ditë, ndaj qindra punëtorëve që sigurojnë të ardhurat e familjeve të tyre dhe ndaj gjithë ekonomisë së vendit”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai shtoi se, në vend që të mbështesë prodhuesit vendorë, pushteti po krijon pasiguri për investimet dhe po dëmton ekonominë.

“Kosova nuk ndërtohet duke mbyllur fabrika. Ajo ndërtohet duke mbrojtur prodhimin vendor, duke përkrahur fermerin, punëtorin dhe sipërmarrësin që investon dhe krijon vende pune. Ftoj institucionet përgjegjëse të ndalin menjëherë çdo vendim arbitrar që rrezikon prodhimin vendor dhe mirëqenien e mijëra familjeve kosovare”, ka përfunduar Haradinaj.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...