Muharrem Salihu në Romë: Shqiptarët në Luginën e Preshevës kërkojnë standarde evropiane, jo privilegje

Përzgjedhja Jonë2 months ago149 Views

Muharrem Salihu ka bërë të ditur se ishte një nga folësit në Galanë Ndërkombëtare të Bamirësisë “Nessuno si salva da solo”, të organizuar nga ELTIQ në Romë më 27 qershor. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve italiane dhe ndërkombëtare, diplomatë, akademikë, personalitete të botës së biznesit, përfaqësues të Selisë së Shenjtë dhe të shoqërisë civile.

Përmes një postimi, Salihu tha se në fjalimin e tij trajtoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, paqes, dialogut dhe dinjitetit njerëzor, duke ngritur njëkohësisht çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Ai theksoi se shqiptarët në jug të Serbisë vazhdojnë të përballen me sfida serioze në ushtrimin e të drejtave të tyre themelore, duke përmendur mungesën e mundësive për arsimim të lartë në gjuhën shqipe, mosnjohjen e diplomave të fituara në Kosovë, mungesën e investimeve strategjike, zhvillimit ekonomik dhe mundësive për punësim, çka sipas tij po nxit largimin e të rinjve nga trojet e tyre.

Një pjesë të veçantë të fjalimit, Salihu ia kushtoi fenomenit të “pasivizimit të adresave”, të cilin e cilësoi si një praktikë diskriminuese që ka prekur në mënyrë disproporcionale shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Sipas tij, qytetarët shpesh nuk njoftohen paraprakisht për procedurat e pasivizimit të adresave dhe e kuptojnë këtë vetëm kur tentojnë të rinovojnë dokumentet personale ose të marrin shërbime publike. Ai tha se pasojat janë të rënda, pasi qytetarët humbin të drejtën e votës, dokumentet e identitetit dhe qasjen në shërbime publike.

Salihu theksoi se këto shqetësime tashmë janë konfirmuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ai përmendi Komitetin e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD), i cili në vërejtjet e tij për Serbinë ka shprehur shqetësim për zbatimin diskriminues të Ligjit për Vendbanimin dhe Qëndrimin e Qytetarëve, duke vlerësuar se pasivizimi i adresave prek në mënyrë disproporcionale shqiptarët në jug të Serbisë.

Ai shtoi se edhe Bashkimi Evropian, Departamenti Amerikan i Shtetit, Komisioni i Helsinkit dhe institucione të tjera ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime për këtë çështje, ndërsa bëri të ditur se një padi kolektive tashmë është dorëzuar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në fjalimin e tij, Salihu theksoi gjithashtu se Italia mund të luajë një rol të rëndësishëm në avancimin e dialogut dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor, ndërsa veçoi edhe rolin e Selisë së Shenjtë në promovimin e paqes, harmonisë dhe mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve etnike.

Ai tha se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk kërkojnë privilegje, por vetëm standarde evropiane dhe trajtim të barabartë.

“Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm standarde evropiane. Ata kërkojnë të gëzojnë të njëjtat të drejta që gëzojnë komunitetet e tjera në rajon, përfshirë edhe ato të garantuara për komunitetin serb në Kosovë”, tha ai.

Në përfundim të fjalimit, Salihu u shpreh se pa drejtësi nuk mund të ketë pajtim, pa barazi nuk mund të ketë stabilitet dhe pa respektimin e dinjitetit njerëzor nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme.

“Le të punojmë së bashku që Ballkani të mos jetë më sinonim i ndarjeve dhe konflikteve, por shembull i bashkëpunimit, respektit të ndërsjellë dhe integrimit evropian. Sepse e ardhmja e popujve tanë nuk qëndron në muret që na kanë ndarë në të kaluarën, por në urat që ndërtojmë për të ardhmen. Dhe kjo e ardhme ka një emër: Bashkimi Evropian”, përfundoi ai.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...