AGK: Dorëheqja e Arlinda Sejdës dëshmi e presionit politik në RTK

Lajme2 months ago29 Views

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas dorëheqjes së gazetares Arlinda Sejda nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), duke e cilësuar largimin e saj si pasojë të presionit të vazhdueshëm politik në transmetuesin publik.

Sipas AGK-së, Sejda, e cila ka punuar për 10 vjet në RTK, e mori vendimin për t’u larguar për shkak të pamundësisë që ta ushtrojë profesionin në përputhje me standardet profesionale dhe etike.

“Këtë vendim e kam marrë me qëllim të mbrojtjes së parimeve bazë mbi të cilat mbështetet ushtrimi i profesionit të gazetarit. Ai vjen si pasojë e pamundësisë për ta ushtruar profesionin në përputhje me bindjet e mia profesionale, standardet etike dhe përgjegjësinë që ndiej ndaj publikut”, ka shkruar Sejda.

AGK tha se e sheh largimin e saj si konfirmim të, sipas saj, kapjes së RTK-së nga menaxhmenti i lidhur me Qeverinë dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas reagimit, largimi i Sejdës dhe i emisioneve të disa gazetarëve e redaktorëve është pasojë e politikave menaxhuese që, sipas AGK-së, ndëshkojnë ata që respektojnë parimet themelore të etikës profesionale.

AGK gjithashtu pretendon se RTK-ja është shndërruar në një “makinë propaganduese” të Vetëvendosjes përmes politikave redaktuese që, sipas saj, censurojnë zërat kritikë brenda dhe jashtë mediumit.

Në reagim thuhet se rënia e lirisë së medias në Kosovë lidhet edhe me kontrollin politik dhe financiar të RTK-së nga Qeveria.

AGK shprehu solidaritet me gazetaren Arlinda Sejda dhe me gazetarët e redaktorët e RTK-së, ndërsa i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje që, sipas saj, të ndalin presionin politik dhe financiar ndaj transmetuesit publik.

Po ashtu, AGK i kërkoi Bordit të RTK-së të kërkojë llogari nga menaxhmenti dhe të sigurojë që të mos ketë përndjekje të gazetarëve, duke garantuar raportim në shërbim të interesit publik.

“Rënia e lirisë së medias në Kosovë, siç dokumentohet edhe në raporte ndërkombëtare, lidhet edhe me kontrollin politik dhe financiar të RTK-së nga Qeveria e zotit Kurti.

AGK-ja qëndron në solidaritet të plotë me gazetaren Sejda dhe me të gjithë gazetarët e redaktorët e Transmetuesit Publik që vazhdojnë rezistencën brenda RTK-së.

AGK-ja e fton Qeverinë e Kosovës dhe Vetëvendosjen që ta ndalin presionin politik dhe financiar ndaj RTK-së.

AGK-ja gjithashtu e fton Bordin e RTK-së që të mos qëndrojë indiferent dhe të kërkojë llogari nga Menaxhmenti, duke u përkujdesur që të mos ketë përndjekje ndaj gazetarëve dhe që raportimi të kthehet në shërbim të interesit publik, e jo të një partie politike.”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...