Haxhiu për gazin amerikan: Kosova nuk ia ka mbyllur derën diskutimeve, do të vendoset pas vlerësimeve të ekspertëve

Lajme3 months ago63 Views

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Kosova nuk e ka refuzuar mundësinë e përfshirjes në projektet që lidhen me gazin amerikan, por se për këtë çështje nevojiten diskutime dhe analiza të detajuara nga institucionet përgjegjëse dhe ekspertët e fushës.

E pyetur për thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe odave ekonomike që Kosova të bëhet pjesë e projekteve për gazin amerikan, Haxhiu tha se vendimet nuk mund të merren me përgjigje të thjeshta.

“Shihni, sa i përket kësaj çështje, unë mendoj që a duhet Kosova ta pranojë apo jo gazin, nuk është çështje e përgjigjeve me ‘po’ ose ‘jo’. Mendoj që është shumë e rëndësishme që të ketë diskutime në nivel të institucioneve përgjegjëse, në nivel të ekspertëve, në mënyrë që të diskutohet për përfitimet, për koston që ndërlidhet në raport me qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se Kosova nuk ka refuzuar projekte që janë në interes të qytetarëve dhe se institucionet mbeten të hapura për diskutime serioze lidhur me këtë çështje.

“Kosova asnjëherë nuk ka thënë jo projekteve që janë në të mirën e interesit publik, në të mirën e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Mirëpo, për tema të tilla duhet që të ketë diskutime serioze. Ne nuk ia kemi mbyllur derën diskutimeve serioze”, u shpreh ajo.

Haxhiu kundërshtoi gjithashtu pretendimet se mospajtimi eventual me projekte të caktuara energjetike mund të interpretohet si qëndrim antiamerikan.

“Në qoftë se Kosova sheh një zgjidhje tjetër si një zgjidhje më të mirë, atëherë pse duhet që të kritikohet dhe pse duhet që qeveria apo institucionet e Republikës së Kosovës të konsiderohen antiamerikane? Institucionet e Republikës së Kosovës punojnë për interesat e qytetarëve”, deklaroi ajo.

Debati për përfshirjen e Kosovës në projektin e gazit amerikan është intensifikuar ditët e fundit, pas thirrjeve të zyrtarëve amerikanë dhe organizatave ekonomike që vendi të bëhet pjesë e iniciativave rajonale për gazin natyror të lëngshëm (LNG).

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...