Protestuesit sulmojnë objektin kryesor të Partisë Socialiste, thyejnë xhamin e derës kryesore

Protesta në Tiranë është përshkallëzuar sërish, pasi një grup i madh protestuesish kanë sulmuar me gurë selinë e Partisë Socialiste, duke shkaktuar dëme materiale.
Dhjetëra të rinj janë afruar pranë ndërtesës dhe kanë hedhur vazhdimisht gurë në drejtim të saj, duke thyer xhamin e derës kryesore.
Kordoni policor, i cili ishte më i paktë në numër, është tërhequr disa hapa pas, duke mos arritur ta parandalojë sulmin ndaj selisë.
Për të shpërndarë turmën, policia ka ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës dhe një autobot me ujë.
Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, protestuesit janë larguar nga selia e Partisë Socialiste dhe janë shpërndarë në rrugët përreth.
Një pjesë e tyre janë zhvendosur në zonën pranë Bankës së Shqipërisë, ndërsa të tjerë kanë marrë drejtimin e Rrugës së Kavajës.
Incidenti shënon një tjetër përshkallëzim të tensioneve në ditën e gjashtë të protestave në kryeqytetin shqiptar.