Përplasje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë policia përdor gaz lotsjellës ndaj protestuesve

Rreth orës 15:30, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Protestuesit e vendosur pranë Parkut Rinia kanë hedhur gurë në drejtim të autobotëve me ujë dhe policëve
Në kundërpërgjigje, policia ka përdorur sasi të mëdha gazi lotsjellës, duke mbuluar bulevardin me re tymi.
Si pasojë, protestuesit janë shpërndarë në disa rrugë të kryeqytetit.
Në mes të situatës së përshkallëzuar, një i ri ka arritur t’i afrohet autobotit të policisë dhe është kapur pas tij, duke refuzuar të largohet edhe pas përdorimit të ujit me presion dhe gazit lotsjellës.
Për ta larguar kanë ndërhyrë efektivët e FNSH-së, të cilët e kanë tërhequr me forcë. Pas ndërhyrjes, i riu ka shfaqur probleme shëndetësore, ndërsa dyshohet se gjendja e tij është ndikuar edhe nga ekspozimi ndaj sasisë së madhe të gazit lotsjellës.