SQ
Artikull

Ligjin e PDK-së për Hagën e refuzuan, LDK-ja pranon t’i bashkohet Grupit Punues të themeluar nga Qeveria

Foto: Ligjin e PDK-së për Hagën e refuzuan, LDK-ja pranon t’i bashkohet Grupit Punues të…

Pas rezervave fillestare ndaj nismës së Qeverisë për çështjen e Hagës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se partia e tij do të jetë pjesë e Grupit Punues për hartimin e strategjisë shtetërore për fazën e Apelit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Abdixhiku ka bërë të ditur se për përfaqësues të LDK-së në këtë grup ka propozuar akademikun dhe deputetin Kujtim Shala. Nëse Shala nuk mund të marrë pjesë, atëherë LDK-në do ta përfaqësojë shefja e Grupit Parlamentar, Jehona Lushaku-Sadriu.

Megjithatë, Abdixhiku ka shprehur skepticizëm për efektin juridik të kësaj nisme, duke thënë se çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, për aq kohë sa qytetarët nuk mashtrohen me iniciativa që nuk kanë efekt juridik.

Qeveria e Kosovës e themeloi Grupin Punues më 14 tetor, nën drejtimin e zëvendëskryeministrit Glauk Konjufca. Grupi do të koordinojë veprimet institucionale dhe diplomatike, si dhe do të hartojë strategjinë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë