Kuvendi me seancë nesër në ora 09:00, do të trajtohet ligji për Gjykatën Speciale në lexim të parë

Kuvendi i Kosovës nesër mban seancë plenare në ora 09:00.
Aty do të trajtohet në lexim të parë edhe Projektligji për ndryshimet ligjore të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Ky projektligji së pari shkon në Komision për Legjislacion i cili mblidhet në ora 08:00.
“Te nderuar/a, Ju njoftoj se mbledhja e Komisionit do te mbahet neser ne oren 8:00, ne sallen N10.
Pika e rendit te dites: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar,” thuhet në njoftimin që ka parë Nacionale.
Qeveria e Kosovës e ka proceduar për në Kuvend përmes edhe një opinioni të saj edhe të Ministrisë së Drejtësisë dhe Financave.
Projektligji është inicuar nga PDK-ja dhe synon 27 ndryshime ligjore për Gjykatën Speciale.
Çështja në fjalë është bërë edhe (mos)marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe PDK-së në një marrëveshje potenciale për kalimin e ligjit në ndërlidhje me 22 votat e PDK-së për zgjedhjen e Presidentit.
Deri më tash, këtë të diele, ende nuk ka marrëveshje mes Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës.
Ky i fundit kërkon që ligji të kalojë në dy leximet, dhe vetëm pastaj të sigurojë 22 votat për president të propozuar nga Vetëvendosje.
Në anën tjetër, Veteranët e UÇK-së kanë paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve nga e hëna, nëse deri të dielën nuk arrihet marrëveshje për ndryshimin e Ligjit të Speciales.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirrur qytetarët më 5 tetor, në ora 12:00, para Kuvendit të Kosovës.
“Nëse deri nesër nuk ka dakordim, nga e hëna veteranët e UÇK-së do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre”, thuhet në njoftim.
Veteranët kërkojnë marrëveshje që do ta mundësonte votimin e menjëhershëm të dy leximeve të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës u është shterur durimi”, thuhet në komunikatë.
Paralajmërimi vjen ndërsa Qeveria dhe PDK-ja ende nuk kanë arritur marrëveshje për rendin e votimeve në Kuvend.
PDK-ja kërkon që ndryshimet të miratohen përfundimisht, në dy lexime, përpara votimit për presidentin e Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e përsëriti kërkesën pas takimit të së shtunës me kryeministrin Albin Kurti.
“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit”, tha Hamza.
Por Hamza nuk dha garanci. “Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja”, tha ai.
Sipas burimeve pranë bisedimeve, të cituara nga Express, Kurti ka propozuar fillimisht leximin e parë, pastaj zgjedhjen e presidentit dhe leximin e dytë.
Kjo e vendos votimin presidencial mes dy leximeve, ndërsa PDK-ja kërkon që ligji të përfundojë para votës për presidentin.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor, duke e ngushtuar fort hapësirën për marrëveshje.
Ka edhe problem procedural.
Sipas analizës së Eugen Cakollit, leximi i dytë mund të bëhej më së herëti më 8 tetor.
Në mes të këtij ngërçi, Qeveria tashmë ia ka dërguar Kuvendit mendimin e saj për nismën e PDK-së.
Në formulimin kryesor, Qeveria thotë se “nuk ka pengesa ligjore” për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ministria e Drejtësisë, megjithatë, e quan çështjen të ndërlikuar dhe kërkon shqyrtim më të thelluar parlamentar.
“Çështja në fjalë është komplekse, pasi ndërlidhet një sërë rregullimesh juridike të natyrave të ndryshme”, thuhet në mendimin e Ministrisë.
Sipas saj, ndryshimet prekin Kushtetutën, funksionimin e Speciales, detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe procedurat gjyqësore që janë në zhvillim.
Ministria thotë se propozimet “nuk paraqesin, në vetvete, kolizion të drejtpërdrejtë me legjislacionin tjetër” të sistemit kosovar të drejtësisë.
Projektligji i PDK-së synon ta ngushtojë juridiksionin e Speciales dhe të transferojë disa raste te institucionet gjyqësore në Kosovë.
Ai parashikon edhe dënim maksimal prej 15 vjetësh, vuajtjen e burgimit në Kosovë dhe mundësinë e faljes individuale presidenciale.
Për rastet aktuale, projektligji parasheh vazhdimin e tyre në Speciale deri në aktgjykimin e Apelit, ndërsa procedurat e mëtejshme do t’i kalonin Supremes.
Ndërkohë, veteranët kanë vendosur afatin e tyre deri të dielën dhe kanë paralajmëruar tubim të hënën para Kuvendit.