SQ
Artikull

Komisioni për Legjislacion miraton propozimet për Byronë e Pasurisë, rrëzohet amendamenti i Grudës

Foto: Komisioni për Legjislacion miraton propozimet për Byronë e Pasurisë, rrëzohet…

Me gjashtë vota për, tri kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka miratuar propozimet e grupit punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në kuadër të shqyrtimit të këtij projektligji, komisioni nuk e ka miratuar amendamentin e propozuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda.

Me këtë votim, anëtarët e komisionit kanë dhënë mbështetjen e tyre për propozimet e grupit punues lidhur me projektligjin, i cili synon krijimin e një mekanizmi për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Gjatë diskutimeve, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka ngritur shqetësime për disa dispozita të projektligjit, përfshirë mënyrën e zgjedhjes së drejtorit të Byrosë, specializimin e gjyqtarëve të shkallës së dytë, përvojën profesionale të anëtarëve dhe pragun financiar për nisjen e verifikimit të pasurisë.

Ajo ka kritikuar faktin se drejtori i Byrosë vazhdon të zgjidhet me shumicë të thjeshtë të deputetëve që marrin pjesë në votim, duke thënë se në rastin kur në sallë janë 61 deputetë, do të mjaftonin 31 vota për zgjedhjen e tij.

Kica-Xhelili ka vënë në pikëpyetje edhe mungesën e kërkesës për specializim të gjyqtarëve të shkallës së dytë që do të shqyrtojnë vendimet e shkallës së parë.

“Çështja e parë është çështja e drejtorit, përzgjedhjes së drejtorit të byrosë, dhe nuk ka ndryshuar mënyra e votimit të drejtorit. Drejtori vazhdon të zgjidhet me shumicën e thjeshtë të deputetëve që vetëm marrin pjesë në votim. Kjo nënkupton që me 61 deputetë prezent, do të mjaftojnë 31 vota që të zgjidhet drejtori i byrosë. Çështja e dytë është që, pavarësisht që kërkohet specializimi i gjyqtarëve të shkallës së parë, shkalla e dytë, pra e apelit që duhet të vërtetojë bazueshmërinë ose jo të kërkesës së shkallës së parë, nuk kërkohet specializimi edhe i atyre. Pra, shkalla e dytë, e cila duhet ta rrëzojë ose jo vendimin e shkallës së parë, për të njëjtën nuk kërkohet specializimi për çështjen e byrosë, sikurse kërkohet për gjyqtarët e shkallës së parë. Çështja tjetër është që ne insistuam që përvoja e punës së personave që do të zgjidhen anëtarë të byrosë të jetë së paku 7 vite pune profesionale. Ministria tha që do ta shqyrtonte dhe të mërkurën u dakorduam që do të ishte 7, por sot në anën tjetër na u tha që mendojmë ta rikthejmë në 5 vite. Unë sot nuk i kam përfaqësuesit e ministrisë, por do të ishte skandaloze që të konsiderohej që është shumë përvojë pune profesionale 5 vite për anëtarë të byrosë”, ka deklaruar Kica-Xhelili.

Ajo ka kundërshtuar edhe mbajtjen e pragut prej 25 mijë eurosh për inicimin e verifikimit të pasurisë, duke argumentuar se projektligji parasheh shqyrtimin e pasurisë së krijuar përgjatë 18 vjetëve.

“Pragu vazhdon me mbete 25 mijë euro, ndërkaq, po flasim për verifikimin e pasurisë së 18 viteve të kaluara”, tha ajo.

Sipas Kica-Xhelilit, ky prag mund të bëhet edhe më problematik në të ardhmen, pasi periudha e verifikimit nis nga viti 2008.

Kryetari i Komisionit, Vigan Qorrolli, ka thënë se gjatë shqyrtimit të projektligjit janë trajtuar vërejtjet dhe propozimet e deputetëve, Gjykatës Supreme dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Ai ka theksuar se komisioni ka shqyrtuar nenet e projektligjit dhe se janë marrë parasysh edhe amendamentet e propozuara nga shoqëria civile.

“E para, punës është që ky kusht i domosdoshëm është afati mes dy leximeve që është i përmbushur dhe është 15-ditëshi për të cilin e ka kaluar, dhe ne kemi ftuar vijimësisht dhe me një lloj kolegialiteti. Planifikimi ka qenë për ditën e mërkurë që të kryhet i gjithë drafti, dhe në këtë rast edhe grupi punues ta përfundojë punën në ditën e parë. Nuk kemi arritur deri në përfundim të orarit të punës, dhe e kemi planifikuar që sot ta vazhdojmë pjesën e mbetur. Kemi kryer edhe pjesën e parë të paradites, dhe besoj që vërejtjet cilat janë dhënë janë të gjitha të adresuara. Një pjesë e tyre, qoftë nga propozuesi në këtë rast i amandamenteve, deputeti i Partisë Demokratike, por edhe përfaqësuesit e Gjykatës Supreme, në këtë rast edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, janë trajtuar një për një dhe presje për presje. Dhe ky është serioziteti më i madh i mundshëm që janë trajtuar. Nuk janë neglizhuar asnjë koment, nuk janë neglizhuar asnjë vërejtje, asnjë sugjerim, dhe asnjë amandament”, ka thënë Qorrolli.

Ai ka sqaruar gjithashtu dallimin ndërmjet konfiskimit civil dhe procedurës penale, duke thënë se të dhënat e përdorura në procedurën civile të konfiskimit nuk mund të përdoren në procedurën penale.

“Të dhënat të cilat përdoren në konfiskim civil nuk mund të përdoren në procedurë penale”, ka deklaruar Qorrolli, duke iu referuar trajtimit të kësaj çështjeje nga Komisioni i Venecias.

Sipas tij, organet kompetente mund të nisin hetime të pavarura sipas detyrës zyrtare, nëse vlerësojnë se ekzistojnë rrethana për një gjë të tillë.

Tahiri: Domethënë kjo është persekutim, kjo nuk është hetim

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kundërshtuar verifikimin e pasurisë së ish-zyrtarëve publikë, duke argumentuar se pas përfundimit të mandatit ata duhet të trajtohen si persona privatë.

Ai ka ngritur shqetësime për mundësinë që ish-zyrtarët t’i nënshtrohen verifikimit të pasurisë edhe pasi të mos jenë më në funksione publike.

“E para, në qoftë se një zyrtar i lartë publik, me, po marrë shembull, ju, ose që po marrë shembull veten, nuk jam më deputet, edhe unë do të thotë e gjej një punë tjetër. Kushdo cili do hetues mundet të marrë me të hetu ty, a mua, domethënë në 5 vjet se çka je tu punu, çka je tu bo, ku je tu funksionu, si person privat. Unë në momentin kur e hedh petkun e zyrtarit publik shtetëror, unë apo ju, apo cili don, cili vend ne botë, në momentin qe ai me që nuk është zyrtar i lartë publik, ai është person fizik privat, edhe ushtron funksionin e vet. A don me shku në fusha me mbjell speca, apo don me shku me punu dika jashtë, është detyra e tij. E tash, byroja ka me shku, domethënë me i bo hetim, se dikush po e lajmëron, për çfarë arsye? Domethënë kjo është persekutim, kjo nuk është hetim”, ka thënë Tahiri.

Rrustemi: Projektligji më i diskutuar që nga shpallja e pavarësisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, e ka cilësuar Projektligjin për Byronë si njërin prej projektligjeve më të diskutuara dhe më të shqyrtuara që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se projektligji është trajtuar në disa legjislatura, është votuar në dy lexime dhe është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.

“Është projektligji më i diskutuar dhe më i shqyrtuar në cilindo forum dhe në cilindo nivel prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nuk e di që, dhe mbase ka, por kam të drejtë me supozu që nuk ka ndonjë projektligj që në 3 legjislatura është shqyrtu në 2 lexime, madje është votuar 2 herë në 2 lexime, është trajtuar 2 herë nga Gjykata Kushtetuese, është trajtuar 3 herë nga Komisioni i Venecias, dhe po e diskutojmë sërish. Në disa prej këtyre niveleve, është përkrahur edhe nga vetë ju. Dmth, është votuar edhe nga vetë ju, dhe ky projektligj nuk është që sot ka ndryshime të atilla me rast simbolike, që e bën të ndryshëm me atë çfarë është votuar, le të themi, para 1 viti ose për herë të parë kur është votuar nga LDK”, ka deklaruar Rrustemi.