SQ
Artikull

IKD alarmon për kërcënimet ndaj gazetarëve, kritikon heshtjen e Qeverisë dhe kërkon reagim nga Shiroka-Pula

Foto: IKD alarmon për kërcënimet ndaj gazetarëve, kritikon heshtjen e Qeverisë dhe kërkon…

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dënuar linçimin publik, kërcënimet dhe presionin ndaj gazetarëve Fidan Jupolli dhe Lirim Mehmetaj, duke kërkuar reagim të shpejtë dhe të qartë institucional.

IKD ka vlerësuar se këto zhvillime cenojnë sigurinë e gazetarëve, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

Në rastin e Jupollit, IKD ka theksuar se shqetësimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës për sigurinë fizike të gazetarit dhe familjes së tij kërkon trajtim urgjent. Ndërkaq, Mehmetaj ka deklaruar se është kërcënuar pasi ka refuzuar ta largojë një postim kritik ndaj deputetit Fatos Geci. Sipas IKD-së, ndalimi i Gani Gecit për 48 orë nën dyshimin për kanosje duhet të pasohet nga hetim i plotë dhe i paanshëm, duke respektuar prezumimin e pafajësisë.

IKD ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të distancohet menjëherë dhe t’i dënojë publikisht këto veprime. Instituti e ka kritikuar heshtjen e Qeverisë, duke vlerësuar se ajo ushqen perceptimin e tolerimit dhe mund t’u japë shtysë atyre që ushtrojnë presion ndaj gazetarëve.

Reagim publik dhe të menjëhershëm IKD ka kërkuar edhe nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke theksuar se bëhet fjalë për të drejta të njeriut të garantuara me Kushtetutë.

Po ashtu, IKD u ka bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë së Shtetit që të zhvillojnë hetime të shpejta, të pavarura dhe efektive, të vlerësojnë rrezikun dhe të ndërmarrin masa mbrojtëse sipas nevojës, përfshirë edhe për familjarët e gazetarëve të ekspozuar.

Sipas IKD-së, mospajtimi me një gazetar nuk i jep askujt të drejtë ta kërcënojë apo t’ia diktojë përmbajtjen, ndërsa pretendimet për shpifje ose cenim të reputacionit duhet të trajtohen përmes mjeteve ligjore.