SQ
Artikull

Haradinaj i ashpër ndaj Kurtit: Kosova është më e madhe se ky keqbërës patologjik

Foto: Haradinaj i ashpër ndaj Kurtit: Kosova është më e madhe se ky keqbërës patologjik

Në një konferencë për media, Ramush Haradinaj ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke deklaruar se ai e ka futur në kurth vendin dhe i ka dhënë goditje të rëndë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haradinaj u shpreh se ligji në fjalë nuk i përket vetëm një subjekti politik, por përfaqëson vullnetin e shumicës së deputetëve të Kuvendit.

“Ky ligj nuk është i një partie politike, por i 91 deputetëve të kësaj legjislature. Është shumë e pandershme që të lihet në gjysmë ky ligj duke e ditur rëndësinë e tij dhe momentin kritik për mbrojtjen e udhëheqësve të UÇK-së”, deklaroi Haradinaj.

Ai shtoi se ky ishte momenti që spektri politik të bashkohej, mirëpo, sipas tij, veprimet e fundit nxorën në shesh qëllimet e vërteta.

“Është momenti, është koha që të bashkohemi. Kështu do të duhej të ishte dhe për këtë na ka besuar qytetari, mirëpo, sikurse e pamë, sot ranë maskat. Kurti e kurthoi edhe ligjin, edhe vendin. E futi në kurth”, u shpreh ai.

Haradinaj deklaroi më tej se braktisja e ligjit për Dhomat e Specializuara është goditje e drejtpërdrejtë ndaj UÇK-së dhe se Kurti po e çon vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Kurti i dha goditje të rëndë UÇK-së, duke e lënë në gjysmë ligjin për Dhomat e Specializuara në momentin më kritik. Kurti po e çon vendin në zgjedhje. Po do me ia dhënë edhe një goditje Kosovës”, nënvizoi ai.

Haradinaj deklaroi se përpjekjet e Kurtit nuk do të kenë sukses:

“Ky po punon me zhbë Kosovën të tillë çfarë e kemi. Nuk ka me ia arritë. Kosova është më e madhe se ky keqbërës patologjik.”