SQ
Artikull

Hamza refuzon Kurtin: Jo president pa marrëveshje

Foto: Hamza refuzon Kurtin: Jo president pa marrëveshje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza e ka quajtur joserioze për vendin atë se çka deklaroi kryeministri i vendit, Albin Kurti për çështjen e presidentit.

Kryeministri Albin Kurti njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para pak minutash doli me propozim të ri për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Emrat e propozuar nga Kurti janë Glauk Konjufca e Feride Rushiti – emra të cilët i kishte propozuar edhe para zgjedhjeve të cilët ishin mbajtur më 7 qershor.

Hamza ka thënë se Ligji duhet të kalojë por edhe për çështjen e presidentit duhet të ketë marrëveshje.

“Sa ka seriozitet në këtë punë kur vetëm sot ka që tri-katër herë qëndrime të ndryshme. LDK-së i thotë nuk ka mundësi të ketë president politikë ndërsa vetë propozon emra politikë. Janë këta emra që nuk kanë kaluar që sa kohë. Për të cilët s’ka pasur marrëveshje. Ligji duhet të kalojë, presidenti ka mund të zgjidhet por jo president pa marrëveshje. Jo ky është presidenti merre ose lëre. Pse s’ka qenë kjo lloj bisede në takimet e tjera, pse ska qenë sot paradite”, ka thënë Hamza në konferencën për media pas asaj të Kurtit.

Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet një president i ri, Kosova do të shkojë në ciklin e katërt zgjedhor brenda dy vjetësh. E edhe sot jashtë Kuvendit janë ftuar protesta në kërkim të miratimit në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen.

Mbrëmë protestat përshkallëzuan në përplasje me Policinë.

Ndërkohë Albulena Haxhiu, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatin gjashtëmujor të saj si ushtruese e detyrës së presidentit, në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e ri sot.