SQ
Artikull

Gjini: Koha e bllokadave mbaroi, Aleanca do të jetë opozitë e pakompromis

Foto: Gjini: Koha e bllokadave mbaroi, Aleanca do të jetë opozitë e pakompromis

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka përshëndetur përmbylljen e procesit të konsolidimit institucional në Kosovë, duke uruar presidenten e re, Justina Shiroka-Pula.

Gjini ka thënë se me krijimin e institucioneve funksionale po merr fund periudha e bllokadave politike dhe zgjedhjeve të vazhdueshme.

Ai ka theksuar se Aleanca nuk ka hyrë në pazare politike dhe se oferta e saj pas zgjedhjeve ka qenë, sipas tij, parimore dhe pa kushte.

Gjini ka përmendur edhe qëndrimin e partisë për Gjykatën Speciale dhe votën pro ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se Aleanca i ka mbajtur qëndrimet e saj deri në fund.

“Sot, koha e bllokadave mbaroi dhe përgjegjësia absolute u mbetet atyre që morën pushtetin”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka paralajmëruar se Aleanca do të fokusohet në terren dhe do të veprojë si “opozitë e pakompromis”, duke premtuar se do të flasë hapur për shkeljet në institucionet e vendit.

“Nuk ka më hapësirë për arsyetime!”, ka përfunduar ai.

Postimi i plotë:

Kosova më në fund ka përmbyllur ciklin e konsolidimit të institucioneve, duke i dhënë fund bllokadave të panevojshme politike dhe zgjedhjeve të vazhdueshme të shkaktuara artificialisht, që e mbanin peng vendin. Ky është një lajm i mirë për stabilitetin dhe për qytetarët tanë.

Urime dhe suksese Presidentes së re të Republikës, Justina Shiroka-Pula!

Sot, bashkë me të gjithë kolegët e mi në Aleancë, para votuesve tanë dhe qytetarëve të Kosovës, jemi me kokën lartë. Aleanca nuk ka hyrë në lojërat e diktuara për pushtet e as në kalkulimet e minutës së fundit. Ne kemi qenë të parët që kemi dalë me ofertë të qartë dhe të sinqertë menjëherë pas zgjedhjeve, sepse e kemi ditur që Kosova nuk ka nevojë të zvarritet e të shkojë sërish në zgjedhje.

Oferta jonë pa asnjë kusht, ishte ekskluzivisht parimore, për shtetin dhe për qytetarët, njëjtë si qëndrimi jonë për Specialen dhe vota pro ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nuk bëmë asnjë pazar dhe secilin premtim dhe qëndrim e mbajtëm deri në fund.

Sot, koha e bllokadave mbaroi dhe përgjegjësia absolute u mbetet atyre që morën pushtetin. Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren.

Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke takuar e dëgjuar qytetarët në çdo komunë të Kosovës. Ne do të jemi opozitë e pakompromis. Do të flasim hapur dhe me emër për secilën shkelje, në secilin institucion dhe në çdo nivel të këtij pushteti.

Nuk ka më hapësirë për arsyetime