Gashi: Për LDK-në, kjo është koha për ta përcaktuar qartë rrugën e saj

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend.
Ai ka bërë me dije se pas bashkëpunimit të fundit formal mes LVV-së dhe PDK-së, ka ardhur koha që bashkëpunimi politik të mos jetë më arsye për demonizimin e kundërshtarëve.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se ky është fillimi i një cikli të ri politik në Kosovë.
“A është ky fundi i tranzicionit dhe fillimi i një cikli të ri politik në Kosovë? Unë besoj se po. Muajt në vijim do ta dëshmojnë. Pas bashkëpunimit të fundit formal mes LVV-së dhe PDK-së, ka ardhur koha që bashkëpunimi politik të mos jetë më arsye për demonizimin e kundërshtarëve. Rëndësi ka për çfarë bashkëpunojmë dhe çfarë sjellim për vendin. Tash është koha që qeverisja të matet me rezultate, e jo me arsyetime dhe fajësime të së kaluarës. Qytetarët presin zhvillim, siguri dhe shpresë për të ardhmen”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë me dije se LDK-ja nuk duhet të jetë peng e të kaluarës së saj.
“Për LDK-në, kjo është koha për ta përcaktuar qartë rrugën e saj. Pa vija të kuqe të përhershme, por me parime të qarta. Të kaluarën nuk e harrojmë, por të ardhmen nuk duhet ta mbajmë peng të saj. Këtu fillon rilindja jonë: me më shumë besim, bashkim dhe një politikë moderne, që i përfaqëson qytetarët dhe u jep shpresë për të ardhmen. Koha është tash. Koha është për LDK-në”, ka shkruar ai.