“Erdha për ta rrëzuar Ramën”: Arrestohen dy kosovarë në Tiranë, njëri thotë në polici së është simpatizant i Kurtit

Dy shtetas nga Kosova, me inicialet D.B. dhe E.S., janë arrestuar nga Policia e Shqipërisë nën dyshimin për përfshirje në protestën e dhunshme të mbajtur në Tiranë.
Sipas dokumenteve të siguruara, njëri nga të arrestuarit ka deklaruar para oficerëve të Policisë Gjyqësore se kishte ardhur nga Prishtina për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe për të kërkuar vendosjen e një qeverie që mbështet politikat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në dëshminë e tij, ai ka thënë se punon si kamerier në Prishtinë dhe se kishte vendosur, së bashku me një shok, të udhëtonte drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në protestë.
Ai ka deklaruar se është simpatizant i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke vlerësuar se politikat e tij dallojnë nga ato të Ramës.
“Duke qenë se unë jam djalë veterani, vendosa së bashku me shokun tim të vij në Tiranë për ta rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama”, thuhet në dëshminë e tij, sipas procesverbalit.
I pyetur për arsyet e pjesëmarrjes në protestë, ai ka pretenduar se synimi i tij ishte të protestonte në mënyrë paqësore dhe të kërkonte ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri.
“Arsyeja pse unë mora pjesë është të bëj protestë paqësore për ndryshimin e këtij sistemi, pasi bie ndesh me politikat e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Në dëshminë e tij, shtetasi nga Kosova ka shprehur pakënaqësi edhe për qëndrimin e Shqipërisë ndaj Kosovës, duke pretenduar se Tirana nuk po e mbështet sa duhet Kosovën.
Ai ka treguar se, gjatë kohës kur po lëvizte nëpër Tiranë dhe po u bashkohej protestuesve, ishte ulur në rrugë së bashku me shokun e tij, kur, sipas tij, disa persona që ishin prezantuar si policë i kishin marrë me automjet dhe i kishin dërguar në komisariat.
I pyetur nëse kishte kryer veprime të dhunshme gjatë protestës, ai e ka mohuar një gjë të tillë.
“Jo, s’kam bërë asnjë veprim të dhunshëm gjatë zhvillimit të protestës”, thuhet në dëshminë e tij.
Ai ka shpjeguar edhe arsyen pse e kishte mbuluar fytyrën gjatë protestës, duke thënë se e kishte bërë këtë për shkak të të ftohtit.
Dy shtetasit nga Kosova dyshohet se përfshihen në disa vepra penale, përfshirë goditjen për shkak të detyrës, prishjen e rendit dhe qetësisë publike, shkatërrimin e pronës dhe kundërshtimin e punonjësve të rendit publik.
Ndërkohë, drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Shqipërisë, Dhimitraq Ziu, ka deklaruar se deri të premten në Tiranë janë arrestuar 127 persona, ndërsa 244 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË
PROCES-VERBAL
PËR MARRJEN E TË DHËNAVE NGA PERSONI QË KA DIJENI PËR VEPRËN PENALE
Në Tiranë, me 15.10.2026 ora 22:00
Unë [e mbuluar] me detyrë oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë, në bazë të neneve 297, 155 – 160 e vijues të K. Pr. Penale, mbaj këtë procesverbal për marrjen e të dhënave që tregojnë rrethanat e veprës penale nga shtetasi: [e mbuluar] i biri [e mbuluar] dhe [e mbuluar] datëlindjes [e mbuluar] 2006, lindur dhe banues në Rr [e mbuluar] Prishtine, arsimi i larte, me gjendje civile beqare, me gjendje gjyqesore pa dënuar, me kombësi e shtetësi Kosovare, identifikuar nëpërmjet letërnjoftimit me numër personal: ska, me numër telefoni ska.
Pasi u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka nëse bën deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore, duke dhënë shpjegime që i di se janë tërësisht ose pjesërisht të rreme apo fsheh fakte ose prova, në bazë të nenit 305/b i K. Penal, dënohet me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj;
DËSHMIA
Une kam ardhur nga Prishtina diten e sotme dhe atje punoj si kamerier ne nje lokal duke pare zhvillimet e fundit qe behen ne tiranë kam vendosur se bashku shokun tim [e mbuluar] te vinim ne Shqiperi me qellim per te protestuar ne menyre paqesore, kam per te theksuar se une jam simpatizant i Kryeministrit te Kosoves Albin Kurti duke qene se Albin Kurti ka sjell begati dhe mirësi ne Kosove dhe politika e tije bie ndeshe me politikat e Edi Rames vendosa te vije dhe te protestoj kundër tije.
Duke qene se une jam djal veterani vendosa se bashku me shokun tim te vije ne tirane per te rrezuar qeverin e kryeministrit Edi Rama.
Gjate kohes po leviznim neper tirane duke iu bashkuar protestuesve duke qene se Policia po hidhte gaze, une se bashku me shokun tim u ulem me nje vend ne rruge ne tirane ku kane ardhur disa persona qe jane prezantuar si punonjes policie dhe na moren me automjet dhe na sollen ne Komisariatin e Policise.
Pyetje: A mund te na thoni a keni qene here tjeter ne Shqiperi, cili ishte motivi qe ju erdhet sot ne Tirane dhe arsyjeja pse moret pjese ne kete proteste?
Pergjigje: Kam qene disa here ne Shqiperi, Arsyeja pse une mora pjese eshte te beje protest paqsore per ndryshimin e ketij sistemi pasi mbie ndesh me Politikat e Kosoves dhe prej kohesh Shqiperia nuk po na mbeshtet neve por po mbeshtet Shkjaun, dhe per kete arsye kam ardhur per te hedhur qeverin shqiptare me qellim te vendoset nje Qeveri tjeter Pro Politikave te Levizjes Vetvendosja.
Pyetje: A mund te thoni nese keni kryer ndonje veprim te dhuneshem gjate zhvillimit te protestes se dites se sotme?
Pergjigje: Jo skam bere asnje veprim te dhunshem gjate zhvillimi te protestes dhe shallin qe mbaja ne fytyre e mbaja pasi kisha ftohte./Reporteri.net/