Bedri Hamza jep dorëheqje nga pozita e Kryetarit të PDK-së

Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, ka kuptuar VOX Kosova përmes burimeve brenda PDK-së.
Siç merr vesh VOX-i, Hamza do të vazhdojë ta mbajë pozitën e Kryetarit deri në zgjedhje të rregullta të brendshme të PDK-së, por nuk do të jetë vetë kandidat për Kryetar.
Në këtë pozitë, ai kishte pasuar Memli Krasniqin.
Hamza ka një karrierë të gjatë politike. Ai ka qenë deputet, ministër, Kryetar Komune dhe Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.
Ka qenë Ministër i Financave në dy mandate, në Qeverinë e dytë të Hashim Thaçit (2011-2014) dhe në atë të Ramush Haradinajt (2017-2019).
Hamza ka qenë edhe Kryetar i Komunës së Mitrovicës (2021-2025), ndërsa ka garuar edhe si kandidat i PDK-së për Kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, 28 dhjetorit 2025 dhe ato të 7 qershorit 2026.
Ai ka qenë Kryetari i katërt i PDK-së. Para tij, PDK-ja ka pasur tre kryetarë dhe një ushtrues detyre.
Kjo parti, që nga themelimi e deri në vitin 2016 ishte udhëhequr nga Hashim Thaçi. Ai kishte dhënë dorëheqje pasi që ishte zgjedhur President i Kosovës.
Thaçin e kishte pasuar Kadri Veseli, i cili kishte drejtuar PDK-në deri në nëntor të vitit 2020. Ai kishte dhënë dorëheqje për shkak se i ishte ngritur aktakuzë për krime të pretenduara lufte nga Gjykata Speciale.
Si ushtrues detyre i Kryetarit të PDK-së ishte caktuar Enver Hoxhaj. Ai kishte qëndruar në këtë pozitë për disa muaj.
Më pas, si Kryetar, më 3 korrik 2021, ishte zgjedhur Memli Krasniqi. Ai ishte rikonfirmuar si Kryetar i PDK-së më 21 qershor të vitit 2025, në Konventën e Përgjithshme të PDK-së, të njëmbëdhjetën me radhë./Paparaci/