SQ
Artikull

Bajrami i kërkon Prokurorisë Speciale t’i hetojë tenderët njëburimorë: Peleti 120 euro më shtrenjtë në Podujevë se në Rahovec

Foto: Bajrami i kërkon Prokurorisë Speciale t’i hetojë tenderët njëburimorë: Peleti 120 euro…

Deputetja e DLK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar përdorimin e tenderëve njëburimorë nga institucionet publike, duke pretenduar se kjo praktikë po shoqërohet me korrupsion.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se rreth 3 mijë kontrata njëburimore dëshmojnë, sipas saj, se kjo mënyrë e prokurimit është kthyer në praktikë qeverisëse.

Ajo ka ngritur shqetësime edhe për kontratat e negociuara për blerjen e peletit, duke e krahasuar këtë me mungesën e barnave esenciale për pacientët me kancer.

Bajrami ka përmendur rastin e Komunës së Podujevës, e cila, sipas saj, ka kontraktuar peletin përmes një tenderi të negociuar me çmim 120 euro më të lartë për ton sesa Komuna e Rahovecit, e cila e ka zhvilluar prokurimin përmes një tenderi të hapur.

Postimi i saj:

Tenderët njëburimorë janë kthyer në praktikë qeverisese, e bashkë me ta edhe korrupsioni!

Kam folur vazhdimisht për tenderët njëburimorë dhe kam kërkuar nga Prokuroria Speciale që t’i hetojë.

Rreth 3 mijë kontrata njëburimore nuk janë përjashtim – kjo është bërë praktikë.

Derisa pacientët me kancer mbeten me muaj pa barna esenciale, për shkak të dështimeve në prokurim, institucionet gjejnë arsye për të negociuar kontrata për blerje peleti.

Rasti i fundit, ku Komuna e Podujevës me tender të negociuar ka kontraktuar peletin për 120 euro më shtrenjtë për ton sesa Komuna e Rahovecit me tender të hapur, është vetëm një ilustrim i pasojave nga mungesa e konkurrencës.

Prapë i bëj thirrje Prokurorisë Speciale që t’i hetojë të gjitha këto kontrata, arsyet e përdorimit të procedurave të negociuara, çmimet dhe përfituesit e tyre.

Buxheti i shtetit është i qytetarëve, jo i pushtetarëve.

Për çdo euro duhet të jepet llogari!