SQ
Artikull

Bajrami e pyet për partinë, Shabani i përgjigjet: Jam krenar që i përkas PDK-së

Foto: Bajrami e pyet për partinë, Shabani i përgjigjet: Jam krenar që i përkas PDK-së

Debatet për funksionimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), mungesën e kuorumit dhe vonesat në shqyrtimin e ankesave kanë nxitur përplasje mes deputetëve të pozitës dhe opozitës në Komisionin për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Gjatë raportimit të përfaqësuesve të Këshillit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, e pyeti anëtarin Eshref Shabani se cilës parti politike i përket, duke pretenduar se sjellja e tij në mbledhje kishte ngjyrosje politike.

“Po na kallëzon në cilën parti politike je?”, e pyeti Bajrami.

Në përgjigjen e tij, Shabani deklaroi se është krenar që i përket Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke theksuar se është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës.

“E në cilën parti jam, jam shumë krenar që i përkas Partisë Demokratike të Kosovës. Dhe shumë krenar jam që puna jem që e kam bërë në Këshill juve deputetëve të VV-së nuk ju pëlqen”, tha Shabani.

Ai kërkoi falje për emocionet në fillim të diskutimit dhe theksoi se ishte zgjedhur me 55 vota në Kuvend, ndërsa shtoi se vendimet e Këshillit mund të kontestohen në gjykatë.